Performanca e dobët e Ukrainës ishte rezultat i dy faktorëve: integrimit të pamjaftueshëm të saj me Perëndimin dhe konfliktit të pas 2014-s me Rusinë, i cili u shkaktua pjesërisht nga dëshira e Ukrainës për t’u afruar me Perëndimin.
Lidhjet e thella ekonomike të Ukrainës me Rusinë datojnë që nga koha sovjetike. Eksportet më të sofistikuara të vendit – duke përfshirë transformatorët elektrikë, pompat vakum, mjetet hekurudhore dhe automjetet – ishin të lidhura me zinxhirët rusë të vlerës, ndërsa eksportet e Ukrainës me Perëndim ishin të përqendruara në produkte më pak komplekse, si mallrat bujqësore, veshjet dhe telat elektrikë. Kur Rusia u rikuperua pas vitit 2004 për shkak të eksporteve të saj të naftës dhe të gazit, industritë e saj prodhuese mbetën mbrapa, gjë që e shpjegon disi performancën e dobët të Ukrainës.
Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe luftës që pasoi në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore, eksportet e Ukrainës drejt Rusisë u dobësuan. Ukraina nuk ishte në gjendje t’i shiste këto mallra industriale të avancuara diku tjetër, sepse këto produkte duhet të jenë të përshtatura për klientin, gjë që kërkon kontrata afatgjata, transferim teknologjie dhe zinxhirë të qëndrueshëm vlerash që mbështeten në kuadër të integrimit të thellë dhe të qëndrueshëm, si ai i ofruar nga Bashkimi Evropian.
Si rezultat, ndërkohë që importet e BE-së për të njëjtat lloje produktesh që Ukraina po i shiste Rusisë u rritën në këtë periudhë, Ukraina nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në këtë rritje. Në fakt, importet e Gjermanisë nga Ukraina në vitin 2019 ishin mezi mbi nivelet e tyre të vitit 2011, ndërsa importet e saj nga Rumania, Polonia dhe gjetkë në BE po rriteshin.
Kjo nuk ndodhi sepse Ukraina kishte më pak kompetencë dhe ekspertizë prodhuese sesa Polonia dhe Rumania. Krejt e kundërta: Ajo kishte traditë shumë më të thellë të prodhimit të përparuar se secili prej këtyre vendeve. Puna e Frank Neffke nga Complexity Science Hub në Vjenë dhe Matte Hartog dhe Yang Li nga Harvard Groëth Lab tregon se qendra e gravitetit të ekonomisë ukrainase u zhvendos në lindje midis viteve 1990 dhe 2003 dhe që atëherë ka lëvizur drejt Perëndimit.
Por, zhvendosja ekonomike e Ukrainës drejt Perëndimit ishte shumë e ngadaltë për shkak të niveleve të ulëta të investimeve të huaja direkte, veçanërisht nga BE-ja. Ndërsa punësimi në firmat e huaja në vitin 2019 përfaqësonte përkatësisht 6.9% dhe 9.3% të punësimit total në Poloni dhe Rumani, ky nivel arriti në vetëm 1.9% të totalit në Ukrainë.
Kjo performancë e dobët reflektoi mungesën e dy gjërave: ombrellën e sigurisë për të mbrojtur investimet në Ukrainë nga agresioni rus i pas vitit 2014; dhe marrëveshjet e integrimit të thellë me BE-në, të cilat janë kritike për tregtinë e bazuar në zinxhirët e vlerës.
I dyti prej këtyre parakushteve duket të jetë afër, marrë parasysh vendimin e fundit të BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit, pas vizitës së 16 qershorit në Kiev të presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrit italian, Mario Draghi. Por, pa garanci sigurie, është e vështirë të imagjinohet që Ukraina të përjetojë atë lloj transformimi ekonomik që kemi parë gjetkë në Evropën Lindore. Firmat nuk do të duan të mbështeten në zinxhirët e vlerave, që kanë një rrezik të lartë për t’u shkatërruar nga Rusia.
“Realistët” e supozuar të politikës së jashtme, si John Mearsheimer, fajësojnë luftën e Ukrainës për zgjerimin e NATO-s drejt lindjes. Mirëpo e kundërta është e vërtetë: Ukraina u sulmua sepse nuk ishte pjesë e aleancës ushtarake mbrojtëse. Garancitë e sigurisë janë të nevojshme për të gjeneruar pjesëmarrjen në zinxhirët e vlerës që mund ta bëjnë Ukrainën më të begatë, Evropën më efikase dhe botën të ushqyer më mirë.
(Ricardo Hausmann, ish-ministër i Planifikimit i Venezuelës dhe ish-kryekonomist në Bankën Ndëramerikane të Zhvillimit, është profesor në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit dhe drejtor i Harvard Growth Lab. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.