Pandemia mund të futet nën kontroll vetëm nëse qytetarët tregojnë përgjegjësi të lartë dhe respektojnë disa masa – dhe nëse qeveria është e aftë të komunikojë dhe mënyra e komunikimit të saj të jetë bindëse për qytetarët. Këtë e tregojnë studimet perëndimore. Çfarë duhet të mësojë qeveria e Kosovës nga kjo?
“A mos jemi tepër mendjelehtë?”
“Maskat gjithnjë e më pak të popullarizuara”.
“Shpërndahet tubimi i mohuesve të koronës”.
Këta nuk janë tituj të mediave kosovare, por gjermane. “A mos jemi tepër mendjelehtë?”, pyet revista “Der Spiegel” në numrin më të ri. “Maskat gjithnjë e më pak të popullarizuara”, njofton “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” në numrin e nesërm (02.08.2020). “Shpërndahet tubimi i mohuesve të koronës” – kështu bën të ditur televizioni publik gjerman ARD, të dielën. Tubimi në fjalë u shpërnda nga policia në Portën e Brandenburgut në Berlin.
Ndonëse Gjermania është lavdëruar për ballafaqimin e suksesshëm me pandeminë, ka gjithnjë e më shumë qytetarë që nuk janë të gatshëm t’i respektojnë masat për luftimin e koronavirusit. Në trafikun urban në Berlin brenda tri javësh janë regjistruar 30 mijë shkelje të obligimit për të bartur maskën. Duket se jo pak njerëz e kanë humbur durimin me kufizimet në jetën e përditshme, disa besojnë në teori komploti, disa thonë se virusi nuk ekziston. Numri i infeksioneve po rritet – jo vetëm në Kosovë e gjetiu në Ballkan, por edhe në vende me pushtete dhe sisteme shëndetësore funksionale si Gjermania.
Peter Klimek, ekspert i statistikës në Complexity Science Hub në Vjenë, ka analizuar bashkë me ekipin e tij të dhënat e infektimeve dhe 53 masa kundër koronës në 76 rajone anekënd botës. Ekipi i Klimek, sipas “Der Spiegel”, ka arritur në përfundimin se vatra më të rrezikshme të infektimit janë takimet private, në kafeteri, objekte kulti, festa familjare. Këto aktivitete duhet të kufizohen, thotë Klimek. Sipas tij njëra ndër masat më efektive për luftimin e pandemisë është – komunikimi. Pra, komunikimi i pushtetit me qytetarët. Mënyra e komunikimit. Serioziteti i komunikimit. Saktësia e komunikimit. Gjuha bindëse e komunikimit. “Komunikimi hyn në mesin e masave më efektive, sepse ka efekt gjigant nëse pas një fjalimi në televizion apo përmes një webfaqeje miliona qytetarë shtyhen të ndryshojnë sjelljen e tyre”, thotë Klimek në “Der Spiegel”. Me fjalë të tjera: mbajtja e distancës, larja e duarve, teshtima në pjesën e brendshme të bërrylit nuk mund të mbikëqyren nga shteti. Politikanët vetëm mund t’i bindin qytetarët që të respektojnë masat për luftimin dhe kufizimin e pandemisë.
Si qëndron puna me aftësitë e qeverisë aktuale të Kosovës për të komunikuar me publikun gjatë krizës? Deri më tani këto aftësi nuk janë parë. Komunikimi me publikun është jobindës, më shumë polemist me kritikët a rivalët politikë se sa informues për opinionin. Ky opinion nuk ka nevojë të dijë se kush ka qenë arsimtare nga familja e ministrit të Shëndetësisë. As sa trima e trimëresha ka lindur fisi i tij.
Po ashtu është fyerje për opinionin kur kryeministri para pak javësh – pa asnjë bazë shkencore – paralajmëroi se numri i të infektuarve do të bie ndjeshëm dhe shumë shpejt u demantua nga realiteti, siç po e tregon rritja dramatike e numrit të viktimave dhe të të infektuarve. Dhe kulmi i talljes arrihet me postime në media sociale të fotografive të kryeministrit duke luajtur basketboll në lagjen e tij. Kujt i intereson kjo në këtë situatë dramatike? Nëse është menduar se me këso fotografish simulohet njëfarë normaliteti, atëherë ky normalitet po shihet: pardje 16, dje 15, sot 9 të vdekur. Sa po bëjnë? Paramendoni arkivolet e tyre të renditur në ndonjë shesh të Prishtinës.
Po shihet ashiqare që aktualisht në qeverinë e Kosovës nuk ka anëtarë që janë në gjendje të komunikojnë bindshëm me opinionin publik. Rrethanat e zgjedhjes e kanë hendikepuar qeverinë në raport me opinionin publik. Qeverisja pa dallime të mëdha nga keqqeverisjet e mëhershme (emërime pa fund të zëvendësministrave, rritja e numrit të ministrive, ngarkesa me borxhe të mëdha e gjeneratave të ardhshme) e bën të pamundshme që ky kabinet të krijojë një imazh të mirë në opinionin e gjerë, përtej përfituesve të drejtpërdrejtë nga sistemi i instaluar me vota mesnate. Duket se kjo nuk është menduar fare kur ra qeveria (jo vetëm, por kryesisht me fajin e LDK-së).
Qeverisja nuk është vetëm pasje e numrave në parlament (edhe ata të siguruar në mënyrë tepër të diskutueshme). Qeverisja ka sukses kur anëtarët e kabinetit, përfshirë edhe kryeministrin, gëzojnë autoritet dhe kur fjalimet e tyre merren seriozisht. Zgjedhjet e reja dhe një qeveri e re tani për tani nuk duken askund në horizont. Ndërkohë do të jetë e nevojshme që pandemia të luftohet shumë më seriozisht se në tetë javët e fundit. Si hap i parë qeveria duhet ta rimendojë dhe ndryshojë strategjinë e komunikimit. Ata që nuk po i merr pothuaj askush seriozisht, nuk duhet të komunikojnë më me opinionin. Pse të mos e bëjnë këtë profesionistët? Një i ngarkuar i kryeministrit që gëzon autoritet në opinion (për shembull mjek)?
Por këtu nuk përfundon puna. Një kryeministër që nuk është i gatshëm edhe për ndryshime në kabinet kur situata në frontin e shëndetësisë rrezikon t’i dalë nga kontrolli, ai kryeministër paraqet rrezik për shëndetin publik. Kaq e thjeshtë dhe kaq e rrezikshme është kjo punë. Nëse secilit qytetar mund t’u themi: ti je përgjegjës, për kryeministrin vlen: ju jeni përgjegjës.